Paketa fiskale 2027, rritet akciza për duhanin dhe cigaret, skema e re deri në vitin 2033
Akciza e cigareve dhe produkteve të duhanit do të rritet gradualisht nga viti 2027 deri në vitin 2033.

Paketa e re fiskale 2027 parashikon rritjen graduale të akcizës për cigaret, duhanin dhe produktet e tjera që përmbajnë nikotinë. Ndryshimet e propozuara në ligjin për akcizën përcaktojnë një skemë të re shtatëvjeçare, e cila nis më 1 janar 2027 dhe shtrihet deri në vitin 2033.
Për vitin e parë, akciza për cigaret propozohet të rritet nga 7,750 lekë për 1,000 fije në 8,100 lekë për 1,000 fije, ndërsa për purot dhe cigarillot që përmbajnë duhan, nga 7,750 lekë për kilogram në 8,100 lekë për kilogram. Rritja është 350 lekë për njësinë përkatëse, ose rreth 4.5 për qind krahasuar me vitin 2026.
Skema e re parashikon rritje të përvitshme të akcizës për të gjitha kategoritë kryesore të produkteve të duhanit, përfshirë cigaret tradicionale, duhanin e përpunuar, duhanin me ngrohje, produktet me nikotinë të lëngshme dhe përzierjet për shisha e nargjile.
Cigaret dhe purot, si do të ndryshojë akciza nga viti 2027 deri në 2033?
Për purot dhe cigarillot që përmbajnë duhan, akciza aktuale prej 7,750 lekësh për kilogram propozohet të rritet në 8,100 lekë për kilogram më 1 janar 2027. Më pas, ajo do të arrijë në 8,450 lekë për kilogram në vitin 2028, 8,800 lekë në vitin 2029, 9,150 lekë në vitin 2030, 9,500 lekë në vitin 2031, 9,850 lekë në vitin 2032 dhe 10,200 lekë për kilogram nga 1 janari 2033.
Në përfundim të periudhës shtatëvjeçare, akciza për këtë kategori do të jetë 2,450 lekë për kilogram më e lartë se niveli i vitit 2026, që përfaqëson një rritje prej rreth 32 për qind.
Për cigaret që përmbajnë duhan, akciza aktuale është 7,750 lekë për 1,000 fije. Sipas propozimit, ajo do të rritet në 8,100 lekë për 1,000 fije më 1 janar 2027, në 8,450 lekë në vitin 2028 dhe në 8,800 lekë në vitin 2029.
Nga 1 janari 2030, për cigaret parashikohet një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën e llogaritjes së akcizës. Përveç komponentit specifik, do të aplikohet edhe një komponent proporcional me çmimin e shitjes me pakicë. Konkretisht, në vitin 2030 akciza do të përbëhet nga 9,150 lekë për 1,000 fije, plus 2 për qind e çmimit të shitjes me pakicë. Në vitin 2031, komponenti proporcional do të rritet në 3 për qind, në vitin 2032 në 4 për qind dhe në vitin 2033 në 5 për qind, ndërsa komponenti specifik do të mbetet 9,150 lekë për 1,000 fije.
Kjo do të thotë se nga viti 2030 barra e akcizës për cigaret do të lidhet edhe me çmimin e shitjes. Efekti përfundimtar në çmimet e konsumatorit do të varet nga marka e cigareve dhe nga mënyra se si prodhuesit dhe importuesit do ta përthithin ose do ta transferojnë koston shtesë.
Rritje e akcizës për duhanin e përpunuar dhe produktet zëvendësuese
Për kategorinë e purove, cigarillove dhe cigareve me zëvendësues duhani, akciza propozohet të rritet nga niveli aktual prej 7,750 lekësh për kilogram në 8,100 lekë në vitin 2027. Rritja do të vijojë në 8,450 lekë për kilogram në vitin 2028, 8,800 lekë në vitin 2029, 9,150 lekë në vitin 2030, 9,500 lekë në vitin 2031, 9,850 lekë në vitin 2032 dhe 10,200 lekë për kilogram në vitin 2033.
E njëjta skemë propozohet edhe për kategorinë e duhanit tjetër të përpunuar dhe zëvendësuesve të duhanit. Akciza për këto produkte do të jetë 8,100 lekë për kilogram nga 1 janari 2027, duke u rritur çdo vit deri në 10,200 lekë për kilogram në vitin 2033.
Ndryshime parashikohen edhe për duhanin e përpunuar me gjethe duhani të kultivuara në Shqipëri. Për këtë kategori, akciza propozohet të jetë 5,250 lekë për kilogram në vitin 2027, 6,950 lekë në vitin 2028 dhe 8,800 lekë në vitin 2029. Nga viti 2030, niveli do të barazohet me kategoritë e tjera të duhanit të përpunuar, duke arritur në 9,150 lekë për kilogram, më pas në 9,500 lekë në vitin 2031, 9,850 lekë në vitin 2032 dhe 10,200 lekë për kilogram në vitin 2033.
Produktet me nikotinë të lëngshme dhe duhani me ngrohje
Paketa fiskale parashikon rritje të akcizës edhe për produktet që përmbajnë nikotinë të lëngshme. Për këto produkte, niveli i akcizës propozohet të jetë 24 lekë për mililitër nga 1 janari 2027, 28 lekë në vitin 2028, 32 lekë në vitin 2029, 36 lekë në vitin 2030, 40 lekë në vitin 2031, 44 lekë në vitin 2032 dhe 48 lekë për mililitër në vitin 2033. Kështu, gjatë periudhës shtatëvjeçare, akciza e parashikuar për këtë kategori do të dyfishohet.
Për produktet e destinuara për thithje pa djegie, që përmbajnë nikotinë, por nuk përmbajnë duhan ose duhan të rindërtuar, akciza propozohet të jetë 9,450 lekë për kilogram në vitin 2027. Ajo do të rritet në 10,150 lekë në vitin 2028, 10,850 lekë në vitin 2029, 11,550 lekë në vitin 2030, 12,250 lekë në vitin 2031, 12,950 lekë në vitin 2032 dhe 13,650 lekë për kilogram në vitin 2033.
E njëjta skemë akcize propozohet edhe për duhanin me ngrohje, pa djegie. Për këtë kategori, niveli do të nisë nga 9,450 lekë për kilogram në vitin 2027 dhe do të arrijë gradualisht në 13,650 lekë për kilogram në vitin 2033.
Ndërkohë, për produktet e destinuara për thithje pa djegie, që nuk përmbajnë duhan, duhan të rindërtuar apo nikotinë, akciza propozohet të jetë 11 lekë për mililitër në vitin 2027. Ajo do të rritet në 13 lekë në vitin 2028, 15 lekë në vitin 2029, 16 lekë në vitin 2030, 18 lekë në vitin 2031, 20 lekë në vitin 2032 dhe 22 lekë për mililitër në vitin 2033.
Produkte duhani për përdorim oral, rritje graduale deri në vitin 2033
Për produktet e duhanit të destinuara për përdorim oral, projektligji propozon një rritje më të ngadaltë të akcizës. Nga 1 janari 2027, niveli do të jetë 8,850 lekë për kilogram, ndërsa në vitin 2028 do të arrijë në 8,950 lekë dhe në vitin 2029 në 9,050 lekë për kilogram.
Rritja do të vijojë në 9,150 lekë për kilogram në vitin 2030, 9,250 lekë në vitin 2031, 9,350 lekë në vitin 2032 dhe 9,450 lekë për kilogram nga 1 janari 2033.
Shisha dhe nargjile, ndryshojnë akcizat për përzierjet me dhe pa duhan
Ndryshimet e propozuara përfshijnë edhe përzierjet për tymosje që përdoren në shisha dhe nargjile. Për përzierjet që përmbajnë duhan, akciza propozohet të jetë 2,213 lekë për kilogram nga 1 janari 2027, 2,238 lekë në vitin 2028, 2,263 lekë në vitin 2029, 2,288 lekë në vitin 2030, 2,313 lekë në vitin 2031, 2,338 lekë në vitin 2032 dhe 2,363 lekë për kilogram në vitin 2033.
E njëjta skemë propozohet edhe për përzierjet për shisha dhe nargjile që nuk përmbajnë duhan. Për këto produkte, akciza do të nisë nga 2,213 lekë për kilogram në vitin 2027 dhe do të arrijë në 2,363 lekë për kilogram në vitin 2033, me një rritje vjetore prej 25 lekësh.
Një trajtim i veçantë parashikohet për përzierjet për shisha dhe nargjile të përpunuara me gjethe duhani të kultivuara në Shqipëri. Për këtë kategori, akciza propozohet të jetë 1,438 lekë për kilogram në vitin 2027, 1,938 lekë në vitin 2028 dhe 2,263 lekë në vitin 2029.
Nga viti 2030, niveli do të jetë 2,288 lekë për kilogram, duke vijuar në 2,313 lekë në vitin 2031, 2,338 lekë në vitin 2032 dhe 2,363 lekë për kilogram në vitin 2033.
Në këtë mënyrë, nga viti 2029, akciza për përzierjet e shishas dhe nargjiles të prodhuara me gjethe duhani të kultivuara në Shqipëri do të barazohet me nivelin e propozuar për kategoritë e tjera të përzierjeve për tymosje.
Skema e re e akcizës synon të përcaktojë rritje të parashikueshme për një periudhë shtatëvjeçare, duke përfshirë si produktet tradicionale të duhanit, ashtu edhe kategoritë alternative me dhe pa nikotinë. Ndryshimet janë pjesë e paketës fiskale 2027 dhe mbeten propozime deri në miratimin përfundimtar të tyre.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)